Nëse dëshiron të mbërrijë tek “skudeto”, dhe nëse dëshiron të jetë kandidat i fortë në Champions, duhet ta tregojë këtë në Ligën e Europës. Ky është detyrimi për Interin (por, po ashtu edhe për Seviljen), dhe është kjo gjë që theksohet në mediat italiane. “Duhet krijuar zakoni për të fituar, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – kjo e dallon një skuadër të madhe nga një skuadër e mirë”. Vetë Konte e di këtë, por dëshiron të heqë presionin nga të tijtë.
“Duam që të sjellim Europën në Itali, por sezoni është pozitiv edhe kështu siç është tani, – thotë trajneri, – kryesorja është që të japim maksimumin dhe të mos kemi pendesë në fund të ndeshjes. Jam i lumtur për Lukakun e Lautaron që janë të zotë, por edhe ndihmojnë shokët”. Nëse Interi fiton Ligën e Europës do të fitojë gjithsej 25 milionë euro, një shifër jo e krahasueshme me ato të Championsit, por gjithsesi mjaft e mirë, sidomos në këto momente të krizës financiare.
Sfidanti.al