Gazetat gjermane lavde Frankfurtit: Shqiponja jonë europiane!

Ajntrahti i Frankfurtit është kthyer në një krenari kombëtare në Gjermani. Pas eleminimeve të hidhura të Bajernit dhe Dortmundit nga Championsi, vetëm skuadra e qytetit të madh perëndimor ka mbetur në kupat kontinentale. Eleminimi i Interit, madje brenda në “San Siro”, ka bërë që gazetat ta shohin Ajntrahtin si Shalken e vitit 1997, që fitoi papritur Kupën UEFA.

“Frankfurti është shqiponja jonë europiane”, – shkruan “Bildi”, që shton se skuadra gjermane jep kënaqësi më të madhe se të tjerat, kur e shikon duke luajtur në fushë në Ligën e Europës. “Bildi” komenton se edhe tifozët kundërshtarë e lavdërojnë Ajntrahtin.

Cilat mund të quhen arsyet e suksesit? “Bildi” rreshton tifozët si tepër të rëndësishëm, pasi ishin 3 000 në Harkiv, 5 000 në Nikozia dhe 20 000 në Milano, nga të cilët 13 500 në stadium. Ata janë lojtari i 12-të. “Jo qaramanë”, vazhdon gazeta gjermane, pasi trajneri Adi Hyter nuk e bën problem dëmtimin e yjeve si Rebiç apo Abraham. Vetë Adi Hyter është një arsye, pasi pasardhësi i Niko Kovaçit premtoi futboll sulmues dhe e mbajti fjalën. Frankfurti ka shënuar 24 gola në Ligën e Europës, dhe vetëm Sevilja (e eleminuar) ka shënuar më shumë, 26.

Sfidanti.al