‘Epidemia’ evazion fiskal; hetohet James Rodriguez, Di Maria pakt në Spanjë për të evituar burgun

Evazioni fiskal i futbollistëve në Spanjë duket si një ‘epidemi’ e vërtetë. Këtë radhë në shënjestrën e organeve tatimore është vënë James Rodriguez. Lajmi bëhet i ditur nga ‘OK Diario’, sipas të cilit, Agjencia e Të Ardhurave ka nisur një inspektim të llogarive të futbollistit kolumbian për këto 3 sezone të qëndrimit të tij në Madrid. Mësohet se organet tatimore duan të dinë sesi menaxhohen të ardhurat nga e drejta e imazhit të tij duke marrë parasyh se James Rodigurez është një nga yjet e futbollit amerikanolatin që lëvron më shumë para nga të drejtat e imazhit. James Rodriguez ashtu sikurse Ronaldo dhe Jose Mourinho përfaqësohen nga agjenti Jorge Mendes, edhe ky i përfshirë në hetimet për evazion fiskal. Ndërkaq, një tjetër futbollist ‘i prekur nga epidemia’ e evazionit, Angel Di Maria ka mësuar  se është dënuar me 1 vit burg për fshehje të 1.3 milionë Euro të ardhura  nga e drejta e imazhit, veprim i kryer kur ishte pjesë e Realit të Madridit. Por Di Maria nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pasi futbollisti ka pranuar të kthejë shumën e evazionit të shoqëruar me një gjobë që në total do të kapë shifrën e 2 milionë Eurove. Di Maria është një ndër emrat e shumtë që kanë rezultuar të kenë kryer evazion fiskal së bashku më Mascheranon, Falcaon, Messin apo Ronaldon.

sfidanti.al