Trajneri i Arsenalit, Unai Emeri, që u ul në stolin e drejtimit të këtij klubi londinez verën e kaluar, kur nga ai u largua mbas 22 vitesh trajneri francez, Arsen Venger, shpreh habinë e tij se përse trajneri aktual i Totenhemit, Maurisio Poketino, do të largohet, sikurse shkruan media angleze, që të marrë përsipër Mançester Junajtidin mbas shkarkimit të Zhoze Murinjos.
Në mediume të ndryshme angleze shkruhet se Junajtidi do t’i paguajë Totenhemit si zhdëmtim financiar 45 milionë sterlina që të sigurojë shërbimet e trajnerit të lartpërmendur argjentinas.
Me këtë rast, Emeri shpreh habinë e tij, madje duke bërë edhe disa pyetje lidhur me atë se përse Poketino do të duhet të marrë përsipër Mançester Junajtidin:
“Unë kam mendimin se ai duhet ta ndjejë vetën mjaft mirë te Totenhemi. Së pari, ai po drejton një ekip fantastik me lojtarë shumë të mirë. Së dyti, ekipi i tij ka dalë në 1/8-tën e finaleve të Lidhjes së Kampioneve. Së treti, Totenhemi ndodhet në një vend më të mirë sesa Junajtidi në tabelën e klasifikimit. Së katëri, atij po i ecën shumë mirë te Totenhemi, është i lidhur me klubin dhe ka rezultate të shkëlqyera me të. Së pesti, Totenhemi nën drejtimin e tij po përmirësohet gjithnjë e më shumë. Përse do t’i duhet atij Mançesteri?”.
Sfidanti.al