Edhe Abramoviç i dashuruar pas “milionave të verdha” të Kinës!

Bota ka gjetur një bankë të dytë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo bankë e ka emrin Kinë, dhe biznesmenë e shtete nga të katër anët po zënë radhë, me “lugë në brez” tani që “deti u bë kos”. Në këtë radhë mund të shikohet edhe një njeri shumë i fuqishëm nga Rusia, Roman Abramoviç, presidenti i klubit të futbollit të Çelsit të Londrës. Miliarderi rus nuk ka synimet që kishin Masimo Morati apo Silvio Berluskoni, pra për të shitur aksionet e klubit te investitorët kinezë.

Jo, ai mendon të marrë hua prej tyre për të mirën e Çelsit. Plani, sipas mediave britanike, është të zmadhohet dhe të modernizohet stadiumi “Stemford Brixh”, i cili aktualisht mban rreth 41 600 tifozë. Abramoviç shpreson të huazojë 500 milionë paund stërlina për ta kthyer impiantin në një arenë moderne me kapacitet 60 000 spektatorë. Gjithçka, sipas planit, do të jetë gati në 2021, ndërsa Çelsi do të luajë në “Uembli” në kohën që “Stemford Brixh” do të rindërtohet. Presidenti i bluve u ka premtuar kinezëve se paratë do t’u kthehen shpejt, bashkë me interesin e huasë.

Sfidanti.al