Deri në vitet 60-të, skuadrat e futbollit njiheshin më shumë nga emrat e yjeve të tyre kryesorë, si Alfredo Di Stefano tek Reali i Madridit, Omar Sivori tek Juventusi apo Bobi Çarlton tek Mançester Junajtid. Natyrisht, nuk është se roli i trajnerit nuk vlente, por duhej të vinte dikush që ta nxirrte në plan të parë. Ky njeri erdhi dhe quhej Helenio Herrera, ai që drejtoi Interin e viteve 60-të, të njohur si “Grande Inter” apo si Interi i Herrerës.
I biri i një anarkisti nga Andaluzia e Spanjës, azilant politik në Argjentinë, dhe i një pastrueseje (si Krujfi), Herrera luajti si mbrojtës, derisa e la futbollin dhe u bë trajner. Në këtë rol arriti kulmet, duke qenë i pari që fitoi një numër të madh trofesh, plot 17, paraardhës i të famshmëve si Bob Pejsli, Xhovani Trapatoni apo Sër Aleks Ferguson.
E nisi tek Espanjoli duke dalë dy herë kampion i Spanjës, fitoi po dy tituj në Spanjë me Barcelonën, përveçse dy Kupa UEFA (të Panaireve në atë kohë), por lavdinë më shumë e fitoi tek Interi. Me stilin e tij “katenaço” dhe me 3 Seritë A si dhe dy Kupat e Kampionëve të fituara me zikaltërit. UEFA e quajti si një nga 10 trajnerët më të mëdhenj që nga themelimi i saj në 1954. U shua në 9 nëntor 1997, pra kemi thuajse fiks 20 vjet pa Helenio Herrerën.
Sfidanti.al