Drejt Botërorit të Klubeve, Bayern kalon një ‘Odise’ të vërtetë; fluturimi u nis me 9 orë vonesë

Bayerni i Mynihut pati një ‘Odise’ të vërtetë në rrugëtimin e tij drejt katarit ku do të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve, kompeticion që do ta nisë ditën e hënë me sfidën gjysmëfinale ndaj Al Ahly. udhëtimi i kampionëve të Gjermanisë dhe Evropës drejt Dohas hasi në disa pengesa burokratike dhe ai nisi me plot 9 orë vonesë, dicka që zemëroi jashtë mase drejtuesit e klubit bavarez.

‘Ndjejmë se autoritetet përgjegjëse na kanë vënë në lojë-tha Shefi Ekzekutiv i Bayernit, Karl Heinz Rummenigge-nuk e kanë idenë e dëmit që i shkaktuan skuadrës sonë’.

Futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e Bayernit në orën 23:30 të së premtes ishin në avion në Berlin dhe prisnin ngritjen e tij. Nisja u shty disa herë për probleme që kishin të bënin me autorizimet për sigurinë, madje u ndryshua edhe vendi duke bërë që nisja e udhëtimit të shtyhej nga mesnata në orën 09:00 të mëngjesit të së shtunës dhe jo më nga Berlini, por nga Mynihu.

sfidanti.al