Dorëzohet Daniel Levi; presidenti i Totenhem i ofron Eriksenin, Realit të Madridit

Totenhemi ndryshon mendje për të ardhmen e Kristian Eriksen dhe mendon largimin e futbollistit. Sipas të përditshmes spanjolle Marca, presidenti i klubit londinez, Daniel Levi është dorëzuar dhe ka hyrë në kontakte me drejtuesit e ‘Los Blancos’ për t’i ofruar kartonin e futbollistit në këmbim të 70 milionë Eurove

Arsyeja që Levi mori këtë vendim e ka origjinën te fakti që mesfushori e mbyll kontratën me Hotspurs në vitin 2020 dhe nuk ka ndërmend ta rinovojë atë dhe nëse nuk largohet këtë verë, ai mund ta bëjë këtë në verën e vitit të ardhshëm, madje falas, gjë që do të përbënte një humbje të madhe për skuadrën londineze.

Sipas ‘Marca’, kjo situatë bëri që kreu i Totenhemit të marrë në telefon përpara pak ditësh Drejtorin e Përgjithshëm të Realit të Madridit, Hoze Anhel Sancez për t’i ofruar kartonin e futbollistit për një shifër shumë më inferiore nga ajo që vetë Totenhemi kërkoi verën e kaluar, 150 milionë Euro. Ndërkaq, Reali i Madridit duket se nuk është më aq i bindur për blerjen e Eriksen dhe e refuzoi ofertën e Totenhemit pasi është në pritje të zgjidhjes së situatës së Pogba dhe Van De Bek, që kanë më shumë prioritet se danezi.

sfidanti.al