S’ka shaka në Kupën e Amerikës, Uruguaji kthehet në shtëpi

Rekordmenët e trofeve mund të jenë krenarë për atë që kanë bërë, por siç thotë populli, “nuk të pyet njeri se kush ke qenë, por se kush je”. Uruguaji është një i eleminuar nga Kupa e Amerikës, i dënuar nga “lotaria” e tretë e penalltive në çerekfinale. Fituese ishte Peruja që nuk gaboi asnjë 11-metërsh, ndërsa për uruguajanët e mjeshtrit të stolit, Tabarez, gabimi erdhi nga ai për të cilin ekzistonte besimi më i madh, Luis Suarezi.

Peruja pati fat dhe shkaktoi të papriturën më të madhe të turneut, duke fituar 5-4 pasi 90 minutat plus shtesat ishin mbyllur pa gola. Në të vërtetë, Uruguaj e dërgoi tri herë topin në rrjetë, por që të tre golat u anuluan nga VAR-i. Vendimet duhet të quhen të drejtë, por çfarë dëshpërimi për 15 herë kampionët e Amerikës së Jugut. Vetë uruguajanët ishin fajtorë që u eleminuan sepse humbën raste të pastra, sidomos dy të Kavanit, por edhe të Diego Godinit apo raste të tjerë. Gjysmëfinalet tani do të jenë Brazil-Argjentinë, dhe Kili-Peru. Kështu si kanë rrjedhur ngjarjet, vështirë të bësh parashikime.

Sfidanti.al