Di Francesko ndjen hijen e Paulo Sozës, ndeshja me Porton vendimtare

Ndeshja e së mërkurës në Ligën e Kampioneve me Porton ka një rëndësi të madhe për Romën e sidomos për trajnerin Euzebio Di Francesko, pozitat e të cilit në pankinën e verdhekuqve janë tronditur ndjeshëm pas humbjes 3-0 në derbin me Lazion. Tashmë mbi trajnerin e Romës është rishfaqur hija e Paulo Souzës që në këtë moment duket se është kandidati më i mirë për ta zëvendësuar.

Nuk është hera e parë që te Roma diskutohet e ardhmja e Di Franceskos gjatë këtij sezoni. Roma ka kaluar shumë vështirësi si humbja në shtëpi ndaj SPAL, disfata në Udine apo poshtërimi në Kupë nga Fiorentina 7-1, situata që Roma i kaloi falë rezultateve, por humbja në derbi ishte një goditje e fortë dhe mund t’i kushtojë shtrenjtë Di Franceskos.

Kështu që fati i trajnerit do të varet nga ndeshja me Porton në stadiumin ‘Do Dragao’ ku në tribunë do të jetë edhe Paulo Souza, i cili ka ndjekur nga afër edhe ndeshje të tjera të Romës. Ish trajneri i Fiorentinës më parë refuzoi një ofertë të Bordosë, pasi prioriteti i tij është skuadra verdhekuqe. Nëse Roma eliminohet të mërkurën, atëherë shkarkimi i Di Franceskos do të jetë i paevitueshëm dhe alternativa për të është gati.

sfidanti.al