Nuk janë në një ekip, por për Robert Prosineçkin, i bashkon diçka, fakti se janë të rrallë në llojin e tyre. Legjenda kroate dhe ish-jugosllave ka fjalë të larta për patriotin e tij, Luka Modriç, dhe për trajnerin Pep Guardiola. “Modriç është lojtari më i mirë kroat në histori, – thotë fare pa egoizëm, ish-ylli i Crvena Zvezdës, – nuk ka asnjë parametër, asnjë arsye që ai të mos quhet futbollisti më i mirë i vendit tonë për të gjitha kohët. Ai ka dalë 3 herë kampion i Europës me Realin dhe në të tria herët ka qenë ndër më të mirët”.
Prosineçki, kampion i Europës dhe i botës në 1991 me Crvena Zvezdën, vazhdon me vlerësimin për Guardiolën. “Për mua, trajneri më i mirë për të gjitha kohët është Guardiola, – vazhdoi ai për gazetën kroate, “Sportske Novosti”, – mjafton të kujtojmë sesi luante Barcelona e tij. Edhe tek Bajerni luajti futbollin më të mirë në botë, dhe të njëjtën gjë po bën tek Siti”.
Sfidanti.al