City me ndryshime, viti i fundit për Guardiolën

Pep Guardiola ende nuk ka vendosur, por 2024-2025 mund të jetë sezoni i tij i fundit si trajner i Manchester Cityt. I nënti për spanjollin në “Etihad”. Kontrata i përfundon verën e ardhshme. Dhe nuk është indikacioni i vetëm. Janë dhe fjalët ditën pas ndeshjes së fundit të kampionatit, menjëherë pasi kishte ngritur të katërtin trofe radhazi si kampion i Premier League. Dhe të gjashtin në total në shtatë vitet e fundit si timonier i Citizens.

“E vërteta është se jam më afër largimit sesa qëndrimit… Kam biseduar me drejtuesit, të cilëve u kam thënë se tani për tani dua të qëndroj. Do të jem këtu edhe sezonin e ardhshëm. Më pas do të ulemi të diskutojmë sërish në lidhje me rinovimin dhe të ardhmen time. U bënë 8-9 vite që jam këtu, kështu që të shohim se çfarë do të ndodhë pas një viti”, ishte deklarata që i shpëtoi Pepit në televizion, për t’u korrigjuar më pas në konferencën për shtypin ku foli për motivimin që duhej gjetur. Ishte e vështirë ta gjente edhe pas vitit të tripletës, e megjithatë City ia doli të fitonte sërish Premier League. Duke vijuar dominimin absolut në ligën më të fortë dhe tërheqëse në planet.

Prisja të qëndroja 3-4 vjet, ndoshta 5, por me siguri jo 8“, thekson tekniku katalanas. I cili vijon: “Dhe jo në një kampionat si Premier, i vështirë për shumë arsye, duke nisur nga vlera e kundërshtarëve. E megjithatë ne fituam 4 kampionate radhazi, 6 në 7 vjet“.

Nëse do të jetë vërtet sezoni i fundit Guardiolës mund t’i duhet të menaxhojë një skuadër që ndryshon. Zërat e merkatos japin drejt largimit Kevin De Bruyne, me Arabinë Sauditë që është gati ta peshojë në ar belgun. Që për të parën herë po mendon seriozisht të lërë Manchesterin. Këtë sezon ka demonstruar se nuk është më i paçmueshëm si në të kaluarën, me Phil Foden (lojtari i vitit në Premier) dhe Julian Alvarez gati të bëjnë të mos ndihet mungesa e tij. Mes largimeve të mundshme, dhe ai i Bernando Silvës, i cili pëlqehet prej kohësh nga PSG. Por edhe Ederson, portieri brazilian që Arabia Saudite dëshiron t’ia shtojë koleksionit të saj. Guardiola është gati të bëjë atë që ka bërë gjithmonë në Manchester. Të përshtatet, të menaxhojë situatën, të zbulojë pikat e dobëta të kundërshtarëve dhe ta bëjë skuadrën e tij më të fortë se gjithë të tjerat. Me klubin që si gjithmonë do e ndihmojë në afrime dhe përforcime, duke i vendosur në dispozicion miliona pafund për të shpenzuar gjatë verës. Ndërkohë do t’i duhet të vendosë nëse kaq kohë mjafton te City për të, duke u siguruar që dyshimet mbi të ardhmen të mos kenë ndikim në rendimentin e skuadrës.

 

sfidanti.al