Emri i Jan Oblak do të përmendet edhe në merkaton e kësaj vere. Ky është cmimi që slloveni do të duhet të paguajë për statusin e një prej portierëve më të mirë në botë, për të mos thënë më i miri. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja AS që ka marrë informacione nga burime pranë Chelseat, klubi londinez e ka vënë portierin e Atletico Madrid në krye të listës së shpenzimeve të merkatos së transferimeve dhe shumë shpejt do të bëjë një ofertë për të siguruar shërbimin e Oblak.
Mësohet se Blutë e Londrës janë gati të ofrojnë deri në 100 milionë Euro për Oblak, shifër që do ta bënte atë portierin më të shtrenjtë në botë, titull që për momentin e mban portieri aktual i Chelseat, Kepa Arrizabalaga. Në fakt spanjolli mund të luajë një rol të rëndësishëm, në operacionin për Oblak sipas mediave britanike dhe duke qenë se jemi në një krizë të shkaktuar nga pandemia, Chelsea mund ta përfshijë atë në tratativa. Kepa nuk është se i ka lënë të pakënaqur drejtuesit e klubit londinez me rendimentin e tij, por Frank Lampard e dëshiron kaq shumë të ketë Oblak nën urdhrat e tij, saqë Chelsea është gati të sakrifikojë Kepën
Gjithsesi, Atletico Madrid nuk ka ndërmend të privohet nga Oblak në asnjë mënyrë, pasi tashmë e ka kuptuar se për të qëndruar në nivelet më të larta të futbollit në Spanjë dhe Evropë, duhet të mbajë futbollistët më të mirë dhe kjo do të ndodhë edhe këtë verë me Oblak. Portieri slloven e rinovoi kontratën e tij me Atleticon në 2019 deri në 2023 me klauzolë të rritur nga 100 në 120 milionë Euro, një shifër që është shumë pranë ofertës që pritet të bëjë Chelsea.
Sfidanti.al