Zvezda bën tifozët për infarkt, ndërsa Benfika “nuk pyet” për Ukrainën!

Emocionet ishin të forta, por përfundimi jo ai që prisnin dhjetëra mijë tifozët. Kampionia e Serbisë, Crvena Zvezda, mbeti jashtë fazës së grupeve në Champions në një nga mënyrat më dramatike të mundshme, ndërsa kualifikimin e arriti Makabi i Haifës. Kjo, edhe pse vendasit arritën kryesimin 2-0 pas humbjes 2-3 në Izrael një javë më parë, duke qenë virtualisht të kualifikuar. Gjithsesi, bateritë sikur u ranë para kohe pasi Makabi reagoi pas golave të shënuar për serbët nga Peshiç e Ivaniç. Madje, entuziazmi u kthye në dëshpërim kur izraelitët shkurtuan shifrat pak sekonda pasi portieri vendas, Borjan priti penallti. Haziza barazpeshoi duelin e plej ofit të Championsit në stadiumin e mbiquajtur nga tifozët si “Marakana”, ndërsa drama ishte rezervuar për në sekondat e fundit. Një autogol që u duk krejt i panevojshëm i sulmuesit Milan Pavkov, e la Zvezdën jashtë konkurrimit kryesor të klubeve, duke e zbritur në Ligën e Europës.

Asnjë diskutim, ndërkaq, në kualifikimin e Benfikës së Lisbonës. Portugezët, klientë të përhershëm të grupeve të Championsit, ishin favoritë pas fitores 2-0 ndaj Dinamos së Kievit në Poloni, dhe e vazhduan aty ku e lanë një javë më parë. Nikola Otamendi, Rafa Silva dhe David Neresh siguruan fitoren e thellë 3-0. Dramë, ndërkaq, në Republikën Çeke, ku kampionia vendase, Viktoria Plzenj u ndodh pranë eliminimit. Karabaku i Azerbajxhanit kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Filip Ozobiç, ndërsa sfida e parë kishte përfunduar pa gola. Gjithsesi, Plzenji reagoi shpejt pas pushimit duke përmbysur rezultatin në vetëm 15 minuta me anë të rrjetave të Jan Kopiçit dhe Jan Klimentit. Makabi, Benfika e Plzenji shkojnë në grupet e Championsit, ndërsa Zvezda, Dinamo e Kievit dhe Karabaku nëgrupet e Ligës së Europës.

Sfidanti.al