Ky futbollist portugez nuk do të jetë në gjendje që të luajë as edhe në ndeshjen revansh të Ligës së Kampioneve. Reali i Madridit, në ndeshjen e derbit të madh me Atletikon e Madridit nuk humbi vetëm dy pikë, por edhe diçka më të rëndësishme, një nga mbrojtësit kryesorë për ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Pepe, në përplasjen me Toni Krosin, theu dy brinjë dhe atë, kështu, e pret një pauzë e gjatë.
Po luhej minuta e 63-të, kur mesfushori gjerman, me një vrull të madh, u përplas me futbollistin portugez dhe, si pasojë, gjuri i të parit goditi fort brinjët e të dytit. Pepe u përpoq që ta vazhdonte ndeshjen, por shpejt e kuptoi se kjo ishte e pamundur, kështu që u zëvendësua dhe përfundoi për kontroll në spital. Duke qenë se edhe Rafael Varani është jashtë formacionit, trajneri i Realit, Zined Zidane, ndodhet në një situatë të vështirë, kështu që në fushë ai do të jetë i detyruar që të nxjerrë Naçon që bashkë me Serhio Ramosin do të përbëjnë shtyllën kryesore të mbrojtjes madridase.
sfidanti.al