UEFA e dashuruar me “Uemblin”: Ju japim finalen e Championsit 2024!

Në të vërtetë, edhe në vetë Anglinë e Britaninë e Madhe në përgjithësi, u tallën rëndshëm me atë që ndodhi. Stadiumi “Uembli” pati probleme me tifozët në prag të ndeshjes finale të Europianit, dhe me mijëra njerëz shpërthyen gardhet e sigurisë duke hyrë pa biletë e pa kontroll. Deri kur erdhën dy kohët shtesë, sërish pati shumë të tillë që silleshin nëpër korridoret e shkallinat e impiantit të famshëm londinez, por UEFA ka vendosur “t’i mbyllë sytë”, apo më mirë të besojë që pas 3 vjetësh, “Uembli” do të jetë ndryshe. Organizmi drejtues i futbollit europian i ka dhënë pikërisht këtij stadiumi të drejtën e organizimit të finales së Championsit në 2024. Në 2013, në “Uembli” u mbajt për herë të fundit një finale e tillë, ajo Bajern-Dortmund (2-1), ndërsa padyshim është stadiumi me më shumë ndeshje të tilla, pasi i ka pritur në 1963, 1968, 1971, 1978, 1992, 2011 e 2013. Pas “Uemblit” vjen Parisi me 5 finale (3 “Park dë Prinses, 2 Stad dë Frans), 4 Madridi (Bernabeu), 4 Milano (San Siro), 4 Bruksel (Hejsel), 3 Lisbonë (Estadio da Luz). Në 2022 finalja e Championsit do të jetë në Shën Peterburg dhe në 2023 në Stamboll.

Sfidanti.al