Tite shpreson që Reali të mos i prishi punë në Botëror me Brazilin

Mediat ndonjëherë të bëjnë gjëmën. Trajneri i Brazilit, Tite, nuk do të kishte dashur t’i kishte shpërthyer pikërisht tani kjo “bombë”, edhe nëse në të vërtetë mund të jetë një “shashkë”. Tite u nervozua shumë me një gazetar, që sipas tij, kishte vendosur fjalë të cituara në shkrimin e tij, që fliste për bisedimet e trajnerit me Realin e Madridit.

“Kur dikush jep një opinion, unë e respektoj plotësisht, – u shpreh Tite i zemëruar, – por, kur dikush vendos në shkrimë fjalë sikur t’i kem thënë unë, atëherë është gënjeshtër. Është një sjellje e ulët dhe mashtruese”. Ai theksoi se agjenti i tij, Zhilmar Veloz, nuk ka biseduar me kënd, pra as me Realin.

“Unë e respektoj shumë detyrën në të cilën ndodhem, – vazhdoi ai, – unë e di se çfarë përgjegjësish dhe se çfarë synimesh kemi”. Tite shpreson që kjo çështje të mos i prishë punë me Brazilin që kërkon të fitojë titullin e gjashtë të botës.

Sfidanti.al