Do të jetë vërtet një “bombë me sahat” shorti që do të dalë sot nga vazot në Sallën Grimaldi në Principatën e Montekarlos. Aty ku spikat Çmimi i Madh i Formula 1, dhe ku banojnë të mbiquajturit “yje milionerë”, do të krijohen grupet e Ligës së Kampionëve për sezonin në vazhdim. Kjo, me nisje në orën 18:00.
Me Liverpulin në vazon e tretë (pas kualifikimit të Benfikës), dhe me Interin në vazon e katërt, të paktën një apo dy grupe do të jenë “të vdekjes”. Në vazon e parë janë “ajka” e kontinentit me në krye ekipet spanjolle Real e Atletiko, si dhe me Barcelonën pas Bajernit. Aty edhe Juvja, PSG e Siti, me më modestin, Lokomotiv të Moskës.
Në vazon e dytë janë Dortmundi, Porto, Junajtidi, Shahtari, Benfika, Napoli, Totenhemi e Roma, vërtet skuadra të shkëlqyera. Në të tretën, përveç Liverpulit, janë edhe Valencia, Lioni Monako, Shalke, Ajaksi, CSKA e Moskës, PSV.
Në të katërtën, Interi e Hofenhajmi janë më të fortët. Tek Reali po bëjnë llogaritë dhe quajnë grupin më të keq, atë së bashku me Dortmundin, Liverpulin e Interin, por do të ishte keq edhe me PSG-në, Man. Junajtidin e Interin. Në “Bernabeu” mund të ktheheshin Murinjo apo Kasijas.
Vazo 1
Real, Atletiko, Bajern, Barcelona, Juventus, Paris SG, Mançester Siti, Lokomotiv e Moskës
Vazo 2
Dortmund, Porto, Mançester Junajtid, Shahtar Donjeck, Benfika, Napoli, Totenhem, Roma
Vazo 3
Liverpuli, Shalke, Lioni, Monako, Ajaksi, CSKA e Moskës, PSV Ajndhoven, Valencia
Vazo 4
Viktoria Plzen, Bryzh, Gallatasaraj, Jang Bojs, Inter, Hofenhajm, Crvena Zvezda, AEK i Athinës
Sfidanti.al