Sanço ia thotë troç Solskjerit: Vij tek Junajtid nëse shkoni në Champions!

Kjo kupë e bekuar “me veshë” është gjëja që futbollistët duan më shumë se gjithçka tjetër në karrierë. Nëse një ekip, sado i shkëlqyer e me rroga të mira, nuk merr pjesë në Ligën e Kampionëve, yjet nisin të rrudhin buzët e të ulin sytë nga pakënaqësia. Nëse Çelsi ka sado pak shpresë se Kai Haverc mund të jetë i ndryshëm, Mançester Junajtidi nuk mund të mbajë veten me “gajret”. Mediat britanike dhe ato gjermane shkruajnë se objektivi kryesor i trajnerit Solskjer, Xhejdën Sanço, nuk vjen në “Old Traford” pa futboll Championsi.

Fillimisht, ishte tabloidi “Bild” që informoi se 20-vjeçari anglez i ka bërë të qartë trajnerit norvegjez se cili është plani i tij. “Vij tek Junajtidi nëse do të kualifikoheni në Champions”, – mësohet se kanë qenë fjalët e Sanços, ndërsa “djajtë e kuq” i prishën shumë punë vetes me barazimin 2-2 në shtëpi ndaj Sauthemptonit, duke mbetur në vend të pestë, pra jashtë zonës Champions, kur duhen edhe 3 ndeshje deri në përfundim të Premier Ligës. Nuk ndihmon fakti se Mançester Junajtid mund të jetë gati të paguajë mbi 100 milionë euro (ndoshta 120 milionë) për kartonin e sulmuesit.

Sfidanti.al