Kush ua mbylli gojën dyshimeve, Tirana apo hetimi për trukim?!

Skuadra nga kryeqyteti po rikujton kohët e vjetra, kur luftonte për dy trofe, dhe ja tani është në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kualifikimi ndaj Bylisit, me shumë mundësi, do ta bëjë më të lehtë që të rifitohet ritmi edhe në kampionat, pra që Tirana të luftojë për të dy trofetë. Pas ndeshjes, trajneri Egbo u shpreh se “i mbyllëm gojën atyre që thoshin se Tirana e kishte lënë ndeshjen në Ballsh”. Pavarësisht se është një djalë i shkëlqyer, dhe deri tani ka edhe rezultate shumë të mira, Emanueli e di se ndonjëherë është mirë që trajneri të mos flasë.

Le të lerë të tjerët të flasin. Dyshimi kryesor për ata që merren me futbollin, dhe që nuk ia duan të keqen askujt është nëse ndeshja e sotme ishte e ndryshme nga ajo e kaluara, sepse Tirana që në fillim donte kualifikimin, apo sepse hetimi për trukim ka bërë që të gjithë të jenë më të kujdesshëm? Thuajse të gjithë ata që e ndoqën ndeshjen e Ballshit, thirrën “turp”, madje edhe presidenti i Tiranës, dhe nuk është e lehtë që “turpi të hahet me bukë” thjesht sepse ndeshja u fitua 2-0 dhe sepse bardheblutë u kualifikuan në finalen e Kupës. Tirana fitoi 2-0 ndaj Bylisit me golat e shënuar nga Muçi e Hoxhallari që në minutat e para (6’, 24’), ndërsa në ndeshjen e parë ishte mundur 1-2.

Sfidanti.al