Në Lisbonë dhe Milano mbërriti i shuar fizikisht, pavarësisht se Reali fitoi. Kristiano Ronaldo kërkon të jetë në finalen e katërt të Championsit me madrilenët, në formën e tij më të mirë, pavarësisht dëmtimit që pësoi në “El Klasiko”. Numri 7 doli nga fusha e lojës në “Kamp Nou”, i lënduar në gju pas golit që shënoi, veçse po përpiqet jo vetëm të riaftësohet nga dëmtimi, por edhe të jetë në formën më të mirë të mundshme në finalen e Kievit në 26 maj ndaj Liverpulit.
Shpresat janë që të jetë ashtu si vjet në Kardif ndaj Juventusit, madje edhe më mirë, dhe kjo sepse trajneri i tij, Zinedin Zidan, ka menduar për këto ditë, gjatë gjithë sezonit. Kristiano ka marrë disa herë pushime dhe ka luajtur më pak ndeshje se zakonisht, ndonëse golat kanë ardhur. Kur të kalojnë 15 ditë, besohet se dëmtimi nuk do ta shqetësojë aspak, ndërsa energjitë do të jenë në 100 për qind të mundësive, pikërisht për shkak të pushimeve të shpeshta, tashmë të domosdoshme për një 33-vjeçar si Kristiano Ronaldo.
Sfidanti.al