Prag Champions, çdo të ndodhë me Barcelonën dhe Mançester Junajtidin?!

Kaluan javët dhe ky konkurim magjik u kthye sërish. Liga e Kampionëve nis sot raundin e parafundit të ndeshjeve në grupe, dhe sfida më e fortë është në Londër. Çelsi e Juventusi kërkojnë vendin e parë në grup në “Stemford Brixh”, ndërsa italianët fituan 1-0 në Torino. Në Itali bëhen llogari, por trajneri Alegri vlerëson thjesht sfidën. “Do të jetë një ndeshje e bukur, teknikisht dhe fizikisht, – tha ai, – ndaj një rivali shumë të fortë, që ka fituar Championsin dhe kryeson Premier Ligën. Do të jetë shumë e vështirë, ndaj duhet të luajmë ndeshjen e përsosur për t’ia dalë”.

Çelsi, ndërkaq, është në formë të shkëlqyer që e tregoi fitorja 3-0 në fushën e Leisterit në Premier, ku e pret dueli me Mançester Junajtidin në fundjavë. Trajneri Tuhel gjithsesi kërkon përqëndrim nga lojtarët e tij. “Nuk do të mendojmë për Mançester Junajtidin këto dy ditë, por për Juventusin, – thotë gjermani, – jemi shumë të angazhuar me përgatitjen e kësaj sfide. Jemi në një moment shumë të mirë, veçse duhet të jemi maksimalisht të përqëndruar për t’ia dalë”.

Barcelona mbetet, ndërkaq, e rrezikuara e madhe, pasi i duhet patjetër fitorja ndaj Benfikës në “Kamp Nou” për t’u kualifikuar. Trajneri Ksavi e nisi me fitore në La Ligë, shpreson edhe në Europë. “Parashikoj një fitore, – tha Ksavi, – nuk kemi asnjë mundësi tjetër, ndaj e kam përgatitur ekipin me objektivin për të fituar ndaj Benfikës. Lojtarët e dinë se kjo është një mundësi për të fituar dhe për të shkuar në raundin tjetër. Jemi me moral të lartë”.

Bajerni, që bën pjesë në të njëjtin grup, nuk ka problem rezultati në Kiev ndaj Dinamos, pasi është kualifikuar, por është në krizë pas humbjes në Bundesligë, dhe në polemika prej Kovidit me 5 të izoluar. “Nuk mendoj se kjo situatë do ta shkatërrojë skuadrën tonë, – thotë tekniku, – ne do të dalim më të fortë nga kjo situatë. Duhet të jemi më të bashkuar kur gjërat nuk shkojnë mirë. Të pavaksinuarit mund të sëmuren më lehtë, por ne do të vazhdojmë përpara”.

Mançester Junajtidi është edhe më i tronditur pas shkarkimit të trajnerit Solskjer dhe krizës së rezultateve. Anglezët luajnë në Spanjë ndaj Vijarrealit, ndeshja e parë e Karrikut si trajner i përkohshëm. Pavarësisht kritikave, shpresa e madhe mbetet te golat e Ronaldos.

Sfidanti.al