“Çil e mbyll” me “Air Albanian”, Dinamo e Partizani sërish në … “emigrim”!

Nuk kanë të rreshtur problemet me fushat në kampionatin shqiptar këtë sezon. Dy skuadrat e kryeqytetit, Dinamo e Partizani, do të detyrohen të “emigrojnë” edhe ditët e ardhshme, sepse “Arena Air Albania” i mbyll dyert. Stadiumi kombëtar, pas ndeshjes së Partizanit me Laçin, nuk do të lejojë sfidë tjetër përveç përballjes së kombëtares së femrave me Norvegjinë në 25 nëntor për eleminatoret e Botërorit. Më pas, “Arena” do të mbahet e mbyllur deri në 2 dhjetor. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për Abc-në se cilësia e tapetit ende nuk e ka arritur nivelin maksimal, pavarësisht se është nisur të luhet që ndaj Polonisë në eleminatoret e Botërorit për meshkuj. Dinamo do të detyrohet të luajë jashtë kryeqytetit për ndeshjen e kampionatit ndaj Kastriotit në 28 nëntor. Partizani, po ashtu do të duhet të gjejë fushë neutrale për sfidën e fortë ndaj Teutës. “Arena Air Albania” nuk ka qenë në dispozicion të ekipeve deri në nisje të nëntorit për shkak të rinovimit të fushës, ndërsa aktualisht ende ka ekipe që luajnë në fusha asnjanëse. Kështu bëri Kukësi ndaj Tiranës apo Teuta kundër Skënderbeut, pasi stadiumet e tyre nuk janë gati.

Sfidanti.al