Ndeshja mes Portos dhe Juventusit e Ligës së Kampioneve u zhvillua vetëm në një drejtim, duke qenë se ekipi mikpritës portugez, më shumë se 60 minuta, luajti me një lojtar më pak, por, sidoqoftë, “biankonerot” arritën që ta thyenin rezistencën vetëm gjatë 20 minutave të fundit, kur edhe erdhën golat e Pjacës dhe të Dani Alveshit. Kjo ndeshje pati një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh reputacionin e madh që kanë të dy ekipet në vendet e tyre, por një publicitet edhe më të madh ajo mori, për shkak të përballjes dhe takimit të dy miqve të mirë të vjetër, Xhxhi Bufon dhe Iker Kasijas.
Me rastin e kësaj ndeshjeje u pa mëse qartë se të dy portierët legjendë e respektojnë, në një masë shumë të madhe, njëri-tjetrin dhe këtë ata e provuan, mbrëmë, në stadiumin “Dragao”, ku, pas përfundimit të ndeshjes, treguan se përse ata të dy konsiderohen si ndër xhentelmenët më të mëdhenj në lojën e futbollit. Pavarësisht nga rezultati i ndeshjes, të dy ata iu afruan njëri-tjetrit, u përqafuan si vëllezër, shkëmbyen disa fjalë dhe, si për ta mbyllur këtë pamje mjaft të këndshme, ata ndërruan edhe bluzat si suvenire, për t’i vendosur në dollapin e tyre të pasur të kujtimeve.
sfidanti.al