Liverpuli para afro një jave luajti në Beograd me Crvena Zvezdën,
ndaj së cilës ekipi anglez pësoi një humbje të papritur 2-0 në kuadrin e Ligës së Kampioneve. Liverpuli një ditë para ndeshjes stërvitjen e zhvilloi në fushën e Partizanit të Beogradit dhe trajneri i “të kuqve” u entuziazmua shumë nga mikpritja e këtij klubi, duke shprehur dëshirën që të njihej me krerët e tij.
Kryesia e Partizanit i fali Jyrgen Klopit një bluzë të Partizanit me nr.4 dhe pikërisht ky gjest i klubit kryesor rival dhe më shumë numri i bluzës e tërbuan drejtorin e madh të Zvezdës, Zvezdan Terziç.
“Ky gjest tregon papjekurinë e madhe të këtyre njerëzve që drejtojnë një klub të madh, sikurse është i tillë Partizani. Shihni se ç’ndodh: në Beograd vjen trajneri gjerman që drejton një klub anglez dhe ata i dhurojnë atij një bluzë me nr.4, duke aluduar hapur për numrin e golave që ne, një klub serb, pësuam në Liverpul! Kam mbetur pa fjalë. Besoj se ju e patë sesi ua kthyem ne atyre, duke arritur një fitore spektakolare pikërisht kundër Jyrgen Klopit”, vuri në dukje funksionari i lartë i Crvena Zvezdës.
Në fakt, Klopi, kur ka luajtur futboll, ka mbajtur veshur bluzën me nr.4, por Terziçi e konsideroi atë bluzë me këtë numër si provokacion për humbjen 0-4 që Zvezda pësoi në Liverpul.
Sfidanti.al