Nuk ndodhin shpesh në Europë dhe nuk pëlqehen nga skuadrat. Fjala është për derbi mes dy ekipeve të të njëjtit vend, siç do të jetë përballja Liverpul-Mançester Siti në Champions. Gjithsesi, për të kuqtë, një precedent i dikurshëm është tepër i favorshëm, dhe të paktën për statistikë “redsat” fërkojnë duart.
Ishte viti 1973, gjysmëfinalja e Kupës UEFA, kur shorti vuri përballë Liverpulin dhe Totenhemin, dy ekipet nga Anglia. Totenhemi ishte fitues në fuqi i kupës, pasi në 1972 kishte mundur në finale një tjetër ekip anglez, Uolverhemptonin. Këtë herë ishte radha e Liverpulit që kaloi në finale me gol në fushë kundërshtare, 1-0 në “Anfild”, 1-2 në “Uajt Hart Lejn”.
Ishte epoka e trajnerit të lavdishëm Bill Shenkli, me skocezin që kishte themeluar Liverpulin e madh në Angli dhe në Europë që në fillim të viteve 60-të. Skuadra e tij, e udhëhequr nga 22-vjeçari Kevin Kigan, triumfoi edhe në finale ndaj Borusias së Mynshengladbahut, që Shenkli e quante ekipin më të fortë të Europës. A thua, edhe dueli me Sitin do të jetë sërish kështu, dhe Liverpuli do të rikthehet i madh në Europë?
Sfidanti.al