Në Romë, të mërkurën, askush nuk duhet të guxojë të shesë pije alkoolike!

Media italiane shkruan se autoritetet e Romës kanë vendosur që të marrin masa rigoroze ditën e zhvillimit të ndeshjes gjysmënfinale të kthimit të Champions-it mes Romës dhe Liverpulit. Këtë të mërkurë, do të jetë e ndaluar shitja e pijeve alkoolike, si një masë parandaluese që do të mund të shmangë përplasjet fizike mes tifozëve romanë dhe liverpulas.

Përfaqësuesit e UEFA-s zhvilluan, dje, një takim me zyrtarë të lartë të policisë së Romës që do të ketë si detyrë që të garantojë sigurinë e tifozëve të Liverpulit në kryeqytetin e “përjetshëm”. Ndalimi i pijeve alkoolike do të hyjë në fuqi që herët në mëngjes, të mërkurën, dhe do të vazhdojë gjatë të gjithë ditës, deri natën vonë. Ndeshja e parë në Liverpul me Romën, sikurse dihet, përfundoi 5-2 në favor të “të kuqve”.