Mirçea Luçesku: Nuk shkon në grupet e Championsit nëse nisesh nga zero!

Misioni ishte me të vërtetë i pamundur. Është fakt që Dinamo e Kievit eliminoi skuadrat favorite si Fenerbahçe e Shturm të Gracit në raundet e mëparshme të Championsit, por në plej of ishte përballë një fuqie të madhe si Benfika e Lisbonës. Ashtu siç pritej, “shqiponjat” portugeze fituan 2-0 në ndeshjen e luajtur në fushën neutrale të Lodzit në Poloni dhe hodhën një hap thuajse vendimtar për kualifikim në fazën e grupeve. Pavarësisht se ukrainasit luajtën me frymëzim, në emër të popullit të tyre që po vuan agresionin ushtarak të Rusisë, kjo nuk mjaftoi. Në futboll, si në çdo luftë, fiton më i forti dhe Benfika ishte e tillë.

Zhilberto shënoi që në 9’ dhe Gonsalo Ramos dyfishoi shifrat në 37’, pra gjithçka që në pjesën e parë. Dinamo e Kievit pati rastet e saj, por nuk ia doli, dhe trajneri rumun i saj, Mirçea Luçesku, pranoi realitetin. “Mendoj se është shumë e vështirë të kualifikohesh kur e nis gjithçka nga zero, – tha ai, – ne nuk luajtëm asnjë ndeshje zyrtare derisa nisi Championsi, ndërsa përballë ishte Benfika me 5 brazilianë e 2 argjentinas, dhe me lojtarë të nivelit shumë të lartë. Ne patëm edhe lojtarë nga akademia. E përgëzoj Benfikën për fitoren, por edhe ne patëm raste, qoftë pas golit të parë, qoftë edhe pas të dytit. Nuk patëm as fat”.

Sfidanti.al