Shumë mirë e nisi sezonin e ri futbollisti argjentinas, Lionel Mesi, që tani do të mbajë shiritin e kapitenit të Barcelonës, ndërsa të mërkurën e fundit fitoi trofeun “Zhoan Gamper”, pasi Barcelona mundi 3-0 Boka Juniorsin. Mesi shënoi njërin nga golat, ndërkohë që, nga ana tjetër, ai paralajmëroi se ekipi i tij do të japë maksimumin që të fitojë Ligën e Kampioneve.
Zyrtarisht, faza e grupeve të Ligës së Kampioneve të Evropës nis më 18/19 shtator 2018, ndërkohë që shorti për këtë fazë do të tërhiqet më 30 gusht.
“Këtë vit, ne kemi një ekip të fortë. Megjithëse vitin e kaluar ne iu gëzuam fitoreve në Primera dhe Kupën e Mbretit, ne nuk ishim të kënaqur nga pjesëmarrja jonë në Ligën e Kampioneve dhe me mënyrën sesi u eliminuam nga Roma (4-1, 0-3). Ne premtojmë se do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë trofeun e Ligës së Kampioneve në vitrinën tonë”, tha Leo Mesi.
Sfidanti.al