Levandovski është pranë një tjetër legjende në Champions, Raulit!

Në vitin 2011 ishte rekordmeni i Ligës së Kampionëve dhe nuk mendohej se shifrat e tij do të kaloheshin lehtë. Raul Gonzales shkëlqeu për Realin e diçka më pak për Shalken, duke mbyllur aventurën në Champions me 71 gola në 142 ndeshje, por tani është fare pranë zbritjes nga podiumi. Pasi u la prapa nga Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi, këtë gjë përgatitet ta bëjë edhe Robert Levandovski. Sulmuesi i Bajernit shënoi dy gola në Salcburg dhe ka 70 rrjeta gjithsej në kompeticionin mbretëror europian të klubeve, edhe pse gjithsej ka 77 për shkak të golave në Kupën UEFA apo Ligën e Europës.

Kjo do të thotë se është vetëm 1 rrjetë prapa ish-sulmuesit spanjoll, madje me mesatare të shkëlqyer 0.75 gola për ndeshje pse ka luajtur 93 të tilla. Një mesatare shumë më e mirë sesa e Karim Benzemasë që e ndjek me 67 gola. Ronaldo ndërkaq ka 130 rrjeta në 170 ndeshje, ndërsa Mesi është në nivelin 117 gola në 145 ndeshje. Gjithsesi, rekordmenët e mesatares gol/ndeshje janë të tjerë. Në vend të parë legjenda bavareze, Gerd Myler me koeficientin 0.97, me 34 gola në 35 ndeshje, Ferenc Pushkashi ishte me 0.88 (36/41), Hoze Altafini 0.86 (24/28) dhe Alfredo Di Stefano 0.84 (49/58).

Sfidanti.al