Është thënë për të premten, por duket se afati paska qenë deri sot në mbrëmje. Të paktën kështu shkruajnë mediat spanjolle dhe ato europiane, pra që Barcelona duhet të vërtetojë sot uljen e shpenzimeve me rreth 190 milionë euro, ndryshe rrezikon falimentimin. E vetmja mënyrë për të ulur kaq shumë dhe kaq shpejt “harxhet” është zbritja e rrogave të lojtarëve, diçka që nuk duket kaq e lehtë. Klubi ua ka kërkuar diçka të tillë kur ishte president Bartomeu, dhe besohet se do ta kërkojë përsëri, por lajmet janë që Sindikata e Futbollistëve Profesionistë në Spanjë ka kërcënuar kundër këtij hapi. Sipas sindikatës, nëse klubi vendos uljen e rrogave në mënyrë të njëanshme, atëherë lojtarët do të shkojnë në gjyq për të fituar të drejtën për t’u larguar me parametër zero. Klubi planifikonte se rrogat do të ishin 61 për qind e buxhetit vjetor, që ishte llogaritur në mbi 1 miliardë euro, por kriza e koronavirusit bëri që buxheti të zbriste në 820-830 milionë euro, dhe tani rrogat përfaqësojnë 80 për qind të tij.
Sfidanti.al