Ndoshta duhet thënë që u përpoq më shumë Kastrioti i Krujës që ia doli të shkaktonte një të papritur të madhe që në javën e pare. Mbyllja e bojkotit gati 2 mujor të Superligës u sinjalizua me një tronditje, pasi krutanët mposhtën 2-1 Partizanin në Kamzë, duke i kujtuar trajnerit Ilir Daja se nuk mjafton vetëm emri për të ndryshuar gjërat. Da Silva shënoi i pari për vendasit në minutën e 19-të dhe të kuqtë mezi ia dolën të barazonin. Asani shënoi në 65’, por nuk qe e thënë jo që të fitohej, por as që të merrej pika. Tri minuta para fundit, Rezi shënoi për 2-1. Problemete vjetshme duket se vazhdojnë te kryeqytetasit që e nisën mirë ndeshjen, patën disa raste, por u treguan të pasaktë, si dhe të depërtueshëm në mbrojtje.
Tirana ishte një normalitet, pavarësisht nga rezultatet e ndeshjeve miqësore. Në Korçë, përballë kampionëve u vu Kukësi i një trajneri tashmë të respektuar si Skënder Gega, por edhe ky e kuptoi sesa e vështirë është kur një ekip me “transfuzion” lojtarësh vihet përballë një kundërshtari shumë më të konsoliduar. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut, Najdoski, shënoi të dy golat me kokë për rezultatin 2-0. Edhe pas epërsisë 2-0, tiranasit këmbëngulën, ndonëse Kukësi u tregua më kërkues pas pushimit. “Fillimi i mirë gjysma e punës, – tha trajneri Egbo, – por, u vetëkënaqëm disi pas rezultatit 2-0. Dikur Milani humbi finalen e Championsit edhe pse fitoi 3-0 pjesën e parë. Sidoqoftë, djemtë luajtën mirë”.
Rezultatet: Kastrioti-Partizani 2-1, Tirana-Kukësi 2-0, Bylis-Laçi 1-1.
Sfidanti.al