Ronaldo synon të luajë deri 40 vjeç, por romanca me Juven nuk ekziston!

Nuk dihet se përse po ndodh kështu, tani që u largua trajner “bankier” Mauricio Sarri dhe në krye të ekipit u vendos një ish-legjendë e fushës së Andrea Pirlo. Me të parin apo me të dytin, për Kristiano Ronaldon nuk paska dashuri tek Juventusi, as “me shikim të parë”, as “me të dytë”, apo me çfarëdo lloj shikimi. Mediat europiane shkruajnë se superylli portugez do ta respektojë kontratën në Torino, deri në 2022, por nuk pritet që të vazhdojë më tej, ndonëse objektivi i tij është që luajë edhe shumë kohë në nivele të larta.

Lajmet duken të vërteta pasi ato vijnë nga e përditshmja torineze, “Tutosport” që është shumë pranë klubit piemontez. Sipas saj, CR7 dhe Juvja nuk kanë “romancë”, diçka që duhet të lidhet me natyrën e drejtuesve, me futbollistët në ekip, me stafin teknik, por edhe me tifozët si dhe me qytetin. Me gjasë, Torino nuk është aq tërheqëse sa Madridi, apo sa mund të ishte Barcelona apo Parisi, ndonëse Kristiano pati romancë edhe në Mançesterin “e vranët” anglez. Sipas “Tutosportit”, Ronaldo dëshiron të luajë në nivele të larta deri 40 vjeç, dhe e ardhmja mund të jetë ndoshta tek Paris SG.

Sfidanti.al