Strakosha ndalohet të shkojë në Rusi, Lacio rrezikon keq nga hetimi në Serinë A!

E humbëm mundësinë për të qenë në qytetin e carëve. Tomas Strakosha, Çiro Imobile dhe Lukas Leiva nuk u nisën bashkë me Lacion për ndeshjen e Championsit në fushën e Zenitit të Shën Peterburgut. Gjithsesi, skuadra italiane rrezikon shumë më tepër sesa vizita e tyre e munguar në kryeqytetin e Pjetrit të Madh, pasi dyshohet se ka shkelur rregullat për koronavirusin.

Portieri i kombëtares shqiptare dhe dy lojtarët e tjerë nuk ishin herën e kaluar në Ligën e Kampionëve për shkak se ishin të izoluar, të dyshuar për infektim me kovid. Gjithsesi pasi bënë tamponët, ata u grumbulluan nga Lacio në fundjavë për ndeshjen e Serisë A në Torino, fituar 4-3, madje Imobile e Leiva ishin titullarë e Strakosha në stol. Kjo nuk e pengoi UEFA-n që të ndalonte pjesëmarrjen e tyre në Champions ditën e sotme.

Liga italiane e futbollit nisi menjëherë hetimet për këtë parregullsi, duke dyshuar se klubi kryeqytetas ka bërë parregullsi në respektimin e rregullave për epideminë. Nuk dihet sesi do të përfundojë hetimi, por grumbullimi të shtunën dhe përjashtimi të martën janë veprime kontradiktore. Lacio rrezikon shumë sepse sipas protokollit, një skuadër që shkel rregullat ndëshkohet me heqje pikësh në kampionat, me gjobë të madhe, madje deri edhe me përjashtim.

Sfidanti.al