Roberto Firmino, një brazilian i shkëlqyer, mund të jetë i detyruar që të presë disa kohë në stol. Është koha e Diogo Zhotasë, një tjetër ylli të krijuar nga shkolla portugeze e futbollit, pas Ronaldos, Figos, Rui Kostës, Dekos, apo Zhoao Feliksit, Ruben Diasit, Bernardo Silvës, Bruno Fernandesit e Trinsaos. Lojtari 23-vjeçar i krahut shënoi 3 gola në fitoren 5-0 të Liverpulit në fushën e Atalantës në Champions, duke “çimentuar” vendin në skuadër.
“Ai është një lojtar i vërtetë, – thanë Rio Ferdinand e Majkëll Ouen pasi e panë në Itali, – Firmino dëshiron të luajë titullar dhe ky djalosh e ka vendosur atë nën presion”. Kurrë më parë, Zhota nuk ka pasur rendimet të tillë, pasi këtë sezon ka 7 gola në 10 ndeshje për Liverpulin, shumë më mirë sesa tek Uolvesi, Porto apo Pasos de Ferreira. “Unë luaj në skuadrën më të mirë të karrierës sime, – tha ai pas ndeshjes, – me Salahun dhe Manenë është më e lehtë. Nuk di të them nëse ishte ndeshja ime më e mirë, por shënimi i golit është specialiteti im në futboll”. Trajneri Jurgen Klop shpreson që Zhota të ketë kursyer ndonjë gol për supersfidën ndaj Mançester Sitit në fundjavë në Premier Ligë.
Sfidanti.al