Nuk është edhe aq i vogël, por karriera e tij nuk ka nisur si ajo e Pelesë apo Mesit. Nikolo Barela deri dy vjet më parë ishte te Kaljari, në nivelet e poshtme të Serisë A, ndërsa sot në moshën 23-vjeçare e sheh veten në skenën më të madhe europiane. Një ndryshim katërcipëror që mund të akullonte edhe një lojtar më të pjekur, por që nuk ia “preu krahët” mesfushorit të Interit.
I ndodhur në mes yjeve si Kasemiro, Kros, Hazar, Asensio, Ramos, Varan apo Benzema, ai zuri “qendrën e vendit” duke organizuar lojën e Interit ndaj Realit, duke bërë të mos ndihej shumë forma e dobët e Brozoviçit dhe Vidalit. Pasimi me takë për golin e Lautaro Martinezit ishte poezi, ndërsa Romelu Lukaku ka thënë shpesh se “për ne, Barela është lojtari që bën diferencën”. Edhe pse Interi humbi dhe trajneri Konte nuk mund të jetë i kënaqur, të paktën mund të jetë i qetë se mund të mbështetet pa frikë tek Barela.
Sfidanti.al