Teuta ngec me Skënderbeun, Vllaznia “e fituara” e bojkotit!

Parashikimet ishin ndryshe, veçse realitetin e tregoi fusha, të paktën për atë që u pa. Skënderbeu arriti ta mbante në barazim 1-1 Teutën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ndonëse vendasit ishin favoritë për fitoren dhe korçarët tashmë një skuadër mjaft “rinore”. Gjithsesi, ish-kampionët ia dolën të merrnin pikën edhe pse shumë lojtarë janë larguar pasi u konfirmua edhe për herë të fundit dënimi 10-vjeçar europian i dhënë nga UEFA.

Shkodrani Rubin Hebaj kaloi ekipin e trajnerit Edi Martini në epërsi që në minutat e para, por gjithashtu para pushimit Meksi barazoi rezultatin në minutën 34-ët. Pas pushimit, të dyja skuadrat patën mundësi, por të besuarit e trajnerit Julian Ahmataj arritën ta merrnin barazimin. Një e papritur, siç ishte e tillë ajo e fitores së Kastriotit me Partizanin. Në ndeshjen tjetër të luajtur në të njëjtën orë, Vllaznia-Apolonia, shkodranët fituan 2-0. Vendasit kishin treguar shenja të mira me suksesin 7-0 në Kupë ndaj Devollit, dhe kundër fierakëve patën lojë të mirë dhe shënuan me anë të Dilaverit dhe Dungës, që të dy në pjesën e dytë.

Rezultatet e javës së parë: Teuta-Skënderbeu 1-1, Vllaznia-Apolonia 2-0, Tirana-Kukësi 2-0, Kastrioti-Partizani 2-1, Bylis-Laçi 1-1.

Sfidanti.al