Acarim tek Bajerni, Fliku i nervozuar me klubin për çështjen “Alaba”!

Gazetarët janë nëpër këmbë dhe ata nuk i ndalon dot që të bëjnë pyetje. Këtë e provoi sërish trajneri i Bajernit, Hansi Flik, në përfundim të asaj që duhej të ishte një “happy end” në Salcburg. Trajneri e kremtoi më së miri përvjetorin në stolin bavarez me fitoren 6-2, kur ja që u pyet për çështjen “Alaba”. “Unë dua vetëm një gjë, – tha Fliku, – dua që në skuadrën time të ketë paqe, të tjerat nuk më interesojnë dhe nuk janë puna ime”.

Gjithsesi, gazetarët nuk iu ndanë dhe e ngacmuan për komentet e Alabës se “tërheqjen e ofertës nga klubi e mora vesh në gazeta”, për fjalët e Salihamixhiçit se “e kemi informuar agjentin e tij”, dhe për deklaratën publike të presidentit Hainer se “ne po e tërheqim ofertën për Alabën”. Fliku sërish u acarua. “Mos m’i bëni mua këto pyetje, – tha ai, – nuk mund të komentoj këto gjëra. Duhet të pyesni ata që duhet, unë nuk kam qenë aty”. Gjithsesi, mediat kujtuan fjalët e Flikut se “unë nuk jam aspak i kënaqur që u krijua kjo çështje përpara dy ndeshjeve kaq të rëndësishme si ndaj Salcburgut e Dortmundit”.

Sfidanti.al