Duket se nuk ka kaluar pa pasoja. Futbollistë të Kukësit me shumë gjasa janë thirrur në policinë austriake dhe janë pyetur lidhur me dyshimet për trukim të miqësoreve. Burime brenda skuadrës bëjnë me dijë se disa lojtarë, madje edhe trajneri Gjoka kanë qenë për disa orë në rajonin e policisë, ku besohet se tema ka qenë manipulimi i mundshëm i rezultateve në takimet e zhvilluara në Austri.
Kukësi luajti 4 ndeshje përgatitore, duke humbur dy, dhe duke fituar dy, ndërsa tri prej tyre janë denoncuar si të dyshimta nga kompania “Federbet”. Kjo kompani që monitoron kuotat e basteve, dha alarmin se ka pasur lëvizje shumë të dyshime të koeficientëve për ndeshjet ndaj Volfsbergerit austriak (humbur 07), Botoshanit rumun (fituar 3-1) dhe Dinamos së Moskës (humbur 0-6).
Besohet se lojtarët e thirrur në polici kanë qenë portierët Kolici dhe Koçi, mbrojtësit Shameti, Serran, Hoxha e Rrumbullaku, si dhe mesfushori Zeqiri. Klubi i ka hedhur poshtë këto lajme, duke deklaruar në faqen e tij zyrtare në FB, se skuadra është nisur për në Vjenë, prej nga ku udhëtohet drejt Moldavisë. Të mërkurën, Kukësi do të luajë ndeshjen e parë të turit të dytë eleminator të Championsit, ndaj Sherifit të Tiraspolit, por gjendja nuk duket nga më të mirat.
Sfidanti.al