Trajneri i Celsit, Antonio Konte, mbas rezultatit zhgënjyes 1-1 në “Stemford Brixh” me Barcelonën në Champions, duke qenë se ekipi londinez e pësoi golin e barazimit mbas një gabimi foshnjarak të Kristensenit para portës së vet, bëri një deklaratë shqetësuese se ka mundësi që ai të largohet, nëse ekipi i tij nuk do të mund ta kalojë Barcelonën. “Sa i përket çështjes së largimit tim eventual nga Celsi, gjithçka është e mundur.
Dhe këtë e them, për shkak të një arsyeje të thjeshtë, se i tillë është fati i të gjithë trajnerëve që kanë punuar në këtë klub. Në fakt, gjithçka do të varet nga situata finale lidhur me Barcelonën. Ne treguam se mund ta përballojmë Barçën, na duhet edhe një ndeshje tjetër e shkëlqyer si e para, por pa atë gabim, që ne të kualifikohemi për në çerekfinale të Champions-it.
Mbas ndeshjes, u prononcua edhe mesfushori i Celsit, Cesk Fabregas: “Duhet të kesh shumë karakter që të luash kundër një ekipi që e zotëroi topin 70 për qind të ndeshjes! Atje, në ‘Kamp Nou’, ne duhet të sulmojmë, që të shënojmë gol, duke qenë se, nëse ne do të luajmë në mbrojtje kundër kësaj Barcelonë, ky do të duket si një ‘mision vetvrasës’’”. Ndeshja e kthimit do të luhet në Barcelonë, më 14 mars (ora 20:45).
Sfidanti.al