Është shumë mirë kur futbollistët kanë liri për të shprehur mendimet e tyre, ndonëse drejtuesit e Juventusit do ta këshillonin Dani Alveshin që gjërat e familjes të mbeteshin në shtëpi. Mbrojtësi brazilian nuk u druajt aspak të thoshte se Paulo Dibala duhet të largohet nga klubi torinez në mënyrë që të arrijë majat e karrierës.
“Dibala do të bëjë gjëra të mëdha në të ardhmen, – u shpreh Dani Alvesh për “Kanais Esporte Interativo”, – por, mendoj se ai duhet të ikë nga Juventusi që të arrijë maksimumin e potencialit të tij”. Besohet se braziliani e ka fjalën që argjentinasi të shkojë në njërin nga dy klubet e mëdhenj të Spanjës, Barcelona apo Real i Madridit, ndërsa ai luajti për katalanasit.
Juventusi, pavarësisht se mund të mërzitet për fjalët e Alveshit, sërish do ta kuptojë se mbrojtësi veteran ka të drejtë, dhe se duhet të marrë masa për të forcuar edhe më tej skuadrën. Ekipi i Alegrit fitoi titullin e gjashtë radhazi kampion në Itali, dhe arriti finalen e dytë të Championsit në tre vjet, por edhe nuk mund të konsiderohet në nivelet maksimale, ndoshta i dëmtuar nga niveli i sotëm i kampionaiit italian.
Sfidanti.al