Ivan Perishiç është dëshira më e madhe e Zhoze Murinjos. Mançester Junajtid është paralajmëruar nga trajneri i vet se duhet të merret me çdo kusht kroati i Interit, diçka për të cilën ai është gati të japë 44 milionë stërlina, apo rreth 50 milionë euro. Nuk dihet mirë sesa do të kërkonte klubi italian, por gjithsesi trajneri portugez edhe mund ta rriste shifrën, mjaft që të kishte përforcimin e kërkuar.
Junajtid, besohet se do të përfitonte shumë nga përvoja dhe talenti i mesfushorit kroat që luajti për Interin në Serinë A dhe që ka luajtur në nivele të larta me kombëtaren e vendit të tij, Kroacisë. Zikaltërit mund të pranonin largimin e tij për arsye të bilancit financiar, në bazë të rregullave të “Lojës së ndershme financiare” të UEFA-s.
Murinjo, po ashtu ka bërë me dije se e do Perishiçin në skuadër përpara sesa të fillojë turneun në SHBA në korrik, pra që lojtari të përshtatet sa më shpejt me shokët e ekipit dhe me skemat e tij. Portugezi po ashtu besohet se do të ketë edhe sulmuesin e Realit, Alvaro Moratën, i cili mund të kushtojë edhe më shumë, të paktën 70 milionë euro, por Mançester Junajtid nuk i ka problem paratë, dhe Murinjo synon të luftojë për titull edicionin e ardhshëm.
Sfidanti.al