Finalja e Ligës së Kampionëve të Europës … jashtë Europës!

Kështu do të bëhet përderisa e thotë vetë numri 1 i futbollit të kontinentit. Aleksandër Çeferin, presidenti i UEFA-s, gjykon se do të ishte tërheqëse që finalja e Championsit të luhej jo në Europë, por jashtë saj. Nuk jepen shumë hollësi nga deklarimi i sllovenit që fitoi zgjedhjet së fundmi, por gjithçka duket e qartë.

Për UEFA-n do të kishte më shumë përfitime financiare nëse përballja më e madhe e futbollit europian të klubeve të luhej në një kontinent tjetër. Diçka që e ka bërë Italia me Superkupën e saj, të cilën e luan në Pekin, dhe që e ka realizuar pjesërisht edhe NBA-ja, pasi ndonjë ndeshje e saj zhvillohet në Arenën kryesore të Londrës. Tendenca është e kuptueshme mbi bazën e shikueshmërisë dhe të globalizmit, duke qenë një investim për të ardhmen.

Tifozët e një klubi apo të një kompeticioni nuk mund të jenë sot të ngujuara në kufij të ngushtë. Mançester Junajtid është shembulli më i mirë për t’u bindur. Klubi anglez, edhe pse ka vite që nuk është në majat e futbollit europian, sërish mbetet një nga klubet me të ardhurat më të mëdha, dhe ka bazën më të madhe të tifozëve, sidomos në Azinë Lindore dhe Amerikën e Veriut. Prej dy vjetësh, në SHBA po luhet Liga Ndërkombëtare e Kampionëve në verë, tani pritet të ketë më shumë ndeshje të Championsit gjatë sezonit të rregullt.

B. Kuka