Tenisi nuk do të ketë një nga yjet më të mëdhenj të viteve të fundit, të paktën për dy muaj e gjysmë. Rafael Nadal, legjendari spanjoll i fushave të “Rolan Garosit” deklaroi se do të marrë pushime deri në fund të 2016-ës, dhe shkak për këtë u bë dëmtimi. Rafa duhet të shërojë një herë e mirë shpatullën e majtë, e cila e ka penguar të jepte maksimumin, duke i shkaktuar edhe një goditje psikologjike.
Nadal humbet turnetë e Bazelit, Paris-Bersisë dhe sidomos Mastersin e Londrës ku luajnë 8 tenistët më të mirë të botës, një lloj Grand Slemi i fundit të sezonit. “Nuk është sekret se rrezikova shumë në Lojrat Olimpike, pasi doja të fitoja patjetër medalje për Spanjën, – tha ai, cituar nga gazeta “Marka”, – kjo bëri që rikuperimi të mos ishte siç duhet dhe të kisha dhimbje, ndaj duhet të ndaloj për të filluar përsëri në 2017”.
Tifozët e këtij sporti shpresojnë që fituesi i 14 Çmimeve të Mëdhenj (i dyti më i mirë i të gjitha kohëve) ta marrë veten siç duhet dhe të rivalizojë Novak Gjokoviçin, Andi Marrejn apo Stan Vavrinkën për triumfe të tjerë. Në fund të fundit, spanjolli nuk është tepër i vjetër, ai ende nuk ka mbushur 30 vjeç dhe nëse do të ishte në formën e duhur fizike, do të ishte sërish një nga më të fortët në rruzull
B. Kuka