Asnjë skuadër shqiptare e meshkujve në futboll nuk ka mundur të shkojë në këtë fazë të Ligës së Kampionëve. Vetëm Skënderbeu i Korçës ka arritur dy herë në grupet e Ligës së Europës, por Vllaznia e femrave ia doli. Skuadra e trajnerit Nikolin Leka dhe e presidentit Lazër Matlija do të jetë tani në “sofrën” e madhe europiane, ndërsa fitimet ishin 580 000 euro, më shumë sesa Vllaznia e djemve që fitoi 450 000 euro në Ligën e Konferencës. Pasi eliminuan në Breznicë të Malit të Zi, Spartakun e Mijavës nga Sllovakia (1-0), vajzat kuqeblu kaluan pengesën e dytë, Vorsklën e Poltavës. Pas barazimit 1-1, ato fituan 2-1 dhe kaluan në grupe. Sfida ishte dramatike në “Loro Boriçi”, ndërsa skuadra shqiptare pati fatin t’i luante të dyja ndeshjet në shtëpi.
Kjo, sepse Ukraina është në luftë dhe sepse në Ligën e Kampionëve për femra paratë nuk janë “lumë” si tek djemtë, ndaj edhe shpenzimet duhen ulur sa më shumë që të jetë e mundur. Paterson shënoi në 35’ për 1-0, por në 85’ Vorskla barazoi me golin e Korsunit. U desh të kalonin 3 minuta që shkodranet të siguronin fitoren dhe kualifikimin me rrjetën e Berishës. Paraqitjet dinjitoze të shkodraneve kanë bërë që Shqipëria e klubeve të jetë në vendin e 27-të në renditjen e UEFA-s për femra, duke lënë pas plot 28 federata, e duke mos qenë larg nga Rumania, Belgjika apo Bosnjë-Hercegovina. Vlen të theksohet se Ukraina është më lart se Shqipëria, ndonëse Vllaznia e eliminoi Vorsklën.
Sfidanti.al