Çfarë padurimi , Nejmari mezi po e pret ndeshjen me Realin

Ky muaj do të sjellë vazhdimin e Champions-it dhe një nga dyshet-nokaut që po ngjall vëmendjen më të madhe është “beteja” mes Paris Sen Zhermenit (PSZH) dhe Realit të Madridit. Sidoqoftë, në të dy “taboret” po mbizotërojnë predispozicione shpirtërore të ndryshme; “të shenjtët” synojnë triumfe në të gjithë konkurrimet, ndërsa klubit madridas i ka mbetur vetëm Champions-i, pasi ai, tanimë, ka dalë jashtë garës si në Primera, ashtu edhe në Kupën e Mbretit të Spanjës. Për këtë arsye, në të dy klubet e lartpërmendur mbahen qëndrime të ndryshme ndaj sfidës së afërme, madje, edhe niveli i vetëbesimit është i ndryshëm. “Unë mezi po pres që të luaj kundër Realit, dua që ajo ditë të vijë sa më shpejt”, thotë Nejmari.

Nga ana tjetër, bashkatdhetari i tij brazilian, Kasemiro, mbas barazimit (2-2) me Levanten, paralajmëroi se gabimet që u bënë në ndeshjen në fjalë, nuk duhet të përsëriten më, sepse do të mund të kushtojnë shtrenjtë. “Ne bëmë dy gabime dhe pësuam dy gola, ja ky është futbolli. Nëse ju bëni gabime në mbrojtje, kundërshtari është në gjendje që t’iu ndëshkojë. Gabimet që bëmë, ne, në asnjë mënyrë, nuk duhet t’i përsërisim me PSZH-në”, tha Kasemiro.

Sfidanti.al