Është nënvleftësuar thuajse përherë, është kritikuar shumë, por u bë lojtari i shtatë në historinë e Realit që arriti në 200 gola. Karim Benzema ka 201 pas dy rrjetave në fushën e Plzenit në Champions, ndërsa sulmuesi francez mbush 10 vjet në “Bernabeu”. Edhe vetëm ky fakt, që ka mbijetuar 10 vjet në klubin më të vështirë të botës, tregon sesa i zoti është Benzemaja.
Me mbi 200 gola, tani ai është në një “tryezë” me Alfredo Di Stefanon, Ferenc Pushkashin, Santilianën, Hugo Sançezin, Raul Gonzalesin dhe Kristiano Ronaldon. Natyrisht, është larg rendimentit të CR7-ës, me 450 gola në 450 ndeshje (Benzema ka 201 gola në 429 ndeshje), por ka mesatare më të mirë sesa Rauli.
Benzema jo gjithnjë është respektuar sa duhet dhe është dashur të reagojë. Ai kujton nja dy shaka të bëra nga Zhoze Murinjo në 2010, kur ishte trajner i Realit. “Kur nuk kam “qenin” (Higuainin), duhet të luaj me “macen” (Benzemanë)”, ishte tallja e parë. Herën e dytë, Murinjo do të shkonte më tej duke thënë se “nuk e fillova dot stërvitjen në orën 10:00 sepse Benzema ishte ende në gjumë”.
Sulmuesi i kërkoi takim trajnerit, dhe folën gjatë. “I thashë se unë jam futbollist dhe ai trajner, se unë e respektoj, dhe ai duhej të bëjë të njëjtën gjë, – tregon Benzemaja, – që prej asaj dite, nuk pati më histori me qen dhe me mace”.
Sfidanti.al