E ka marrë veten pikërisht në kohën e duhur dhe në Bavari nuk po thërrasin vetëm emrin e Robert Levandovskit. Serg Gnabri është heroi i momentit tek Bajerni, pasi po shënon gola me ritëm të lartë, duke iu kthyer asaj që në Gjermani e quajnë “forma londineze” e tij. Kjo, sepse në Londër shënoi 4 gola në fitoren 7-2 në Champions ndaj Totenhemit, dhe po ashtu në kryeqytetin britanik luajti për 3 sezone me Arsenalin (2011-2014).
Bajerni ndeshet këtë mesjavë me Çelsin në Londër, në duelin e parë të turit të dytë dhe padyshim trajneri Hansi Flik ka nevojë për lojtarët e tij në formën më të mirë të mundshme. Gnabri është nga ata që po e kënaq Flikun, teksa e ka lënë pas dëmtimin e pësuar pak kohë më parë. Me ndihmën e Levandovskit, të Gnabrisë dhe të të tjerëve, bavarezët do të përpiqen të arrijnë fitoren e parë në 6 ndeshje në ndeshjet me eleminim direkt në Champions. Suksesi i fundit është ai 2-1 në 2017-2018 ndaj Seviljes, pastaj erdhën 0-0 në Sevilje, 2-2 e 1-2 ndaj Realit, dhe 0-0 e 1-3 kundër Liverpulit.
Sfidanti.al