Askush nuk e donte Liverpulin si kundërshtar, për më tepër Bajerni!

Para disa vitesh, Liverpuli ishte një nga ekipet “më të dashur” që e donin si kundërshtar ekipet e mëdha evropianë në fazën nokaut të Lidhjes së Kampioneve (LK). Kurse Bajerni i Mynihut, nga ana tjetër, ishte si “Zeusi i plotfuqishëm” që të ngjallte frikë dhe dridhje sapo ta shihje, kurse sot…
Liverpuli është shndërruar në një ekip që të ngjallë si respekt, ashtu edhe frikë, falë formës së shkëlqyer që ai gëzon që nga sezoni i kaluar, kur edhe humbi në finale të LK-së nga Reali i Madridit. Plotësisht e kundërt është situata te Bajerni i Mynihut që është hija e keqe e ekipit të lavdishëm të së kaluarës. Ky ekip që tani drejtohet nga kroati Niko Kovaç, nuk njihet dhe nuk përbën më ndonjë kërcënim të madh për kundërshtarët si në Bundesligë, ashtu edhe në LK.
Ndeshja e fundit evropiane mes Liverpulit dhe Bajernit është zhvilluar në vitin e largët 1981, kur në gjysmëfinale të Kupës së atëhershme të Evropës, Liverpuli ishte më i suksesshëm, falë golit të shënuar në fushën kundërshtare. Ndeshja e parë në “Enfild” u mbyll pa gola, kurse ndeshja e kthimit gjithashtu përfundoi në barazim, por 1-1, që i përgjigjej ekipit anglez. Në finale “të kuqtë” mundën Realin e Madridit.
Sfidanti.al