Zhoze Murinjo, a do të kthehet sërish “lavdia e zezë”!

Ai ishte një nga tmerret e kundërshtarëve dhe jo vetëm në fushën e lojës. i pajisur me zotësi dhe inteligjencë të rrallë, Zhoze Murinjo pëlqente t’i torturonte kolegët e tij, dhe me arrogancën “e ligjëruar” të një Napoleoni, shkonte përpara pa skrupuj drejt fitoreve trofeve. Përsa kohë fitonte, portugezi ishte i paprekshëm, edhe kur ofendonde dhe nuk respektonte asnjë rregull “kameradesk”, as ku mburrej pa fund, me shprehje “i veçanti” apo “jam yll edhe unë”.

Gjithsesi, nuk thuhet kot se “kjo jetë është jarane”, dhe se si ngryset, nuk gdhihet. Pas një marshimi të pandalshëm tek Porto, Çelsi e Interi, pasi mori disa plasaritje (dhe thinja) tek Reali, nisi aventurën e dytë angleze, pa e kuptuar se çfarë po e priste. Me Çelsin shpëtoi sepse e fitoi një titull, por iku pa lavdi, ndërsa epoka tek Mançester Junajtid ishte për “kronologji varrezash”.

Tre trofe të sezonit të parë nuk mjaftuan si “makiazh” për shëmtinë që do të vinte më pas. Zhoze shpenzoi rreth 400 milion euro për blerjet, dha rreth 300 milionë euro rroga në sezon, por Junajtidi shkoi gjithnjë e më keq. Nuk mundi të luftonte kurrë për Premier Ligën dhe as për Championsin, objektivët e vetëm për një klub kaq të madh.

Konfliktet me Pol Pogbanë dhe shefin Ed Uduord, dhe dështimet me blerjet e Pogbasë, Lukakut apo Sançezit ishin thjesht shenjat e një madhështie në rrënim. Zhoze Murinjo largohet për herë të parë me një dështim të tillë, dhe ikja e tij nuk u qa përveçse nga shumë pak prej lojtarëve.

Nuk dihet nëse do të arrijë të kthehet sërish në një klub të madh, edhe pse gjithçka mund të ndodhë. Me 25 trofe në kabinet, ai i ka të gjitha kredencialet në rregull, por duket se nuk ka në rregull sistemin e tij nervor. Kush e do një trajner që kaq lehtë bëhet armik me yjet kryesorë të skuadrës? Në një futboll të tillë, kjo është një situatë e papërballueshme.

Sfidanti.al